E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani: Nëse nuk formohet qeveria e re, nis konsultat

PRISHTINË, 24 tetor /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani tha se nëse nuk ka marrëveshje për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e së dielës, atëher ajo do t’i ftojë partitë të shohin nëse ndonjëra prej tyre mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.

“Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë politike të shohin nëse ekziston mundësia që dikush të formojë shumicën”, tha Osmani në një intervistë me Deutsche Welle në gjuhën shqipe.

Të dielën nga ora 10:00 është ftuar seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rend të ditës – zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Albin Kurti më 26 tetor ka ditën e fundit sipas mandatit që ka marrë nga Vjosa Osmani për të prezantuar kabinetin e tij qeverisës dhe programin qeverisës në rolin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, por për këtë nevojiten 61 vota.

“Mendoj se është shumë herët për të folur për zgjedhje të jashtëzakonshme, por është një alternativë nëse nuk krijohet shumica. Në fakt, mbetet e vetmja alternativë sipas Kushtetutës”, theksoi Osmani.

Nëse Kurti nuk arrin të formojë Qeverinë, atëherë Osmani duhet brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanse më të mëdha për të formuar Qeverinë. Nëse qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë,  Osmani sipas Kushtetutës duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 40 ditëve.

Më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese me 48 ulëse në Kuvend, PDK 24, LDK 20, koalicioni AAK-Nisma 8. Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantuara, 9 prej të cilave u fituan nga Lista Serbe, ndërsa një nga Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë. Dhjetë ulëse të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet jo-serbe.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›