Osmani merr pjesë në takimin e Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit

PRISHTINË, 27 shtator/ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, mori pjesë këtë javë në Nju-Jork në takimin e radhës të Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF), ku Kosova është vend partner nga viti 2017.
Osmani u shpreh në një postim në rrjetin social Facebook, se në takim “riafirmova përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Nga ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, deri te përballja me radikalizimin online, Kosova është shndërruar në një model për rajonin – duke treguar se përmes bashkëpunimit, qëndrueshmërisë dhe vlerave të përbashkëta, edhe sfidat më të mëdha globale mund të tejkalohen”.
Kujtojmë se Osmani ka udhëtuar në Nju-Jork për të marrë pjesë në fillimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë edhe në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë në Nju-Jork.