E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani në 81-vjetorin e lindjes së presidentit Rugova: Arkitekti i pavarësisë

PRISHTINË, 2 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh sot në 81-vjetorin e lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova se arkitekti i pavarësisë, siç e cilësoi, mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.

“I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.

“Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik”, përfundoi presidentja Osmani homazhin për figurën e presidentit historik të Kosovës. /r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›