Osmani në “Berlin Global Dialogue”: Fokus në afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare Berlin Global Dialogue, ku ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me përfaqësues të lartë politikë dhe biznesi nga e gjithë bota.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Presidentja Osmani ka theksuar se qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së saj ishte forcimi i lidhjeve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe promovimi i partneriteteve strategjike.
“Ishte kënaqësi të rikthehem këtë vit në Berlin Global Dialogue për një sërë aktivitetesh të mbushura me diskutime frymëzuese, takime të vlefshme dhe partneritete të reja – të gjitha me një qëllim të përbashkët: ta afrojnë Kosovën edhe më shumë me Bashkimin Evropian,” ka shkruar Presidentja Osmani.
Ajo ka përshkruar Berlin Global Dialogue si një platformë kyçe që bashkon liderë politikë dhe biznesorë për të diskutuar zgjidhje efektive në politikëbërje, me fokus te shërbimi ndaj qytetarëve, zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme.
Gjatë konferencës, Presidentja Osmani ka zhvilluar takime bilaterale dhe ka marrë pjesë në panele diskutimi, duke promovuar potencialin ekonomik dhe integrues të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
/rtsh.al/