E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë, fushata zgjedhore për balotazhet e zgjedhjeve lokale nga 3 deri më 9 nëntor

PRISHTINË, 24 tetor/ATSH/ Fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit do të jetë shtatë ditë. Fushata do të fillojë më datën 3 nëntor dhe do të përfundojë në orën 06:59 më 9 nëntor.

Kështu vendosi Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e sotme. Sipas vendimit të KQZ-së, nga 26 tetori deri më 29 nëntor është planifikuar që të bëhet dërgimi i fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë rundit të parë dhe që i takojnë komunave ku do të mbahet rundi i dytë. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 27 tetor dhe do të përfundojë më 8 nëntor 2025.Zgjedhjet për rundin e dytë më 9 nëntor do të mbahen në tetëmbëdhjetë komuna në Kosovë.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, i cili kryeson Këshillin për Operacione Zgjedhore, tha se lista votuese për qytetarët jashtë vendit do të jetë e njëjtë sikurse në zgjedhjet e raundit të parë më 12 tetor. Ndërkaq shtoi se ata që mbushin 18 vjeç deri më 9 nëntor do të kenë të drejtën e votës.

“Fushata zyrtarisht do të jetë shtatëditëshe. Do të fillojë më datën 3 nëntor dhe do të mbarojë në ditën e zgjedhjeve në orën 06:59, sikurse është e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme… Për listën votuese jashtë vendit, të njëjtit votues që janë regjistruar në fillim do të kenë të drejtë të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve në ato komuna. S’do të ketë mundësi shtesë për regjistrim, pasi kështu është e normuar në legjislacionin sekondar… Ata që mbushin 18 vjeç do të përfshihen në listën përfundimtare të votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve. Ata që jetojnë jashtë dhe mbushin 18 vjeç gjatë kësaj kohe, kanë mundësi të vijnë këtu dhe të votojnë në Kosovë”, theksoi ai.

Në anën tjetër, anëtarët e KQZ-së ngritën shqetësimin edhe për vonesat e mundshme në shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale që ishin më 12 tetor.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, theksoi nevojën që sa më parë të shpallen rezultatet përfundimtare, meqë, siç tha, duhet bërë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Jo vetëm ditët, por edhe orët dhe minutat janë të rëndësishme, sidomos për komunat në të cilat dihet se janë në balotazh. Sa më herët që i përfundojmë procedurat tona, rrjedhin afatet e tjera dhe më herët mund të fillojnë ato komuna përgatitjet”, tha ai.

Kërkesë të njëjtë adresoi edhe anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani. Madje ai kërkoi një raport nga sekretariati se në cilat komuna ka ankesa dhe në cilat jo, në mënyrë që të vazhdohet me shpalljen e rezultateve në komuna të caktuara.

“Një raport për secilën komunë veç e veç që të shohim se ku kemi ankesa e ku jo. T’i hapet rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare. Mos të presim për një komunë që mund të jetë e vogël dhe për disa të tjera që nuk kanë fare, me prit dhe me shty shpalljen e rezultateve përfundimtare”, theksoi ai.

Shpallje të rezultateve përfundimtare edhe në formë të pjesshme kërkoi edhe anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj.

“T’i shpallim të pjesshme rezultatet përfundimtare aty ku është e mundur”, theksoi ai.

E për këto, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se do të komunikojë me PZAP-në dhe Gjykatën Supreme në lidhje me ankesat për zgjedhjet e 12 tetorit dhe në bazë të kësaj mund t’i shpallin rezultatet përfundimtare gjatë këtij vikendi.

“Ka shumë ankesa dhe duhet me i ndarë ku ka ankesa për kryetar të komunave dhe ku ka ankesa vetëm për kuvende komunale. Është problematike për sot, por unë po bëj përpjekje me komuniku me PZAP-në dhe Gjykatën Supreme. Ndoshta gjatë vikendit, nëse marrim një përgjigje”, theksoi ai.

KQZ po ashtu mori vendim edhe për miratimin e rekomandimeve për përfshirjen në rezultatet përfundimtare të rezultateve që dolën pas rinumërimit të 16 kutive të votimit nga 12 vendvotime të ndryshme. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›