E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nesër “testi” për qeverinë e re/ Osmani për “DW”: Ende herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por…

Kur kanë mbetur edhe një ditë nga mbajtja e seancës së Kuvendit për votimin e qeverisë së re, (nesër në ora 10:00) Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, ka folur për DW, duke u shprehur mbi atë çfarë pritet të ndodhë nesër dhe në vazhdim nëse i mandatuari për krijimin e qeverisë Albin Kurti nuk arrin të marrë votat e nevojshme.

Sipas Osmanit, nëse nuk do të ketë marrëveshje, do të ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën.

Ajo shton se është ende herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme megjithëse mbetet si një mundësi.

“Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje. Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëqoftëse nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosje e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa e la derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 vende dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 8 vende.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare, të njohura nga Kushtetuta e Kosovës: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Për të zgjedhur një qeveri të re, personi përgjegjës duhet të sigurojë së paku 61 vota.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve.

Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›