E Martë, 3 Nëntor 2026

Osmani në SHBA: Përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para

PRISHTINË, 26 maj /ATSH/ Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo u izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Osmani shprehu mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.

“Por paqja, siç e kemi mësuar të gjithë, është e brishtë. Vetëm disa vite pas marrëveshjes së Dejtonit dhe luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, po i njëjti makth erdhi në shtetin tim, Republikën e Kosovës. Jo si imazh në televizion apo zë në radio, por jetesë. Jetesë e përditshme, makth që erdhi në rrugët tona dhe në shtëpitë tona”, tha Osmani.

“Sot, teksa mblidhemi me temën e paqes dhe prosperitetit, duhet të fillojmë me një të vërtetë të thjeshtë por të fuqishme: paqja rrallë herë është e trashëguar, është e ndërtuar dhe është në mënyrë konstante e ushqyer dhe e mbrojtur. Por, më e rëndësishmja është se paqja nuk vjen kurrë duke ecur vetë apo izoluar. Kjo paqe vjen nëpërmjet partneriteteve dhe aleancave. Sot, unë përfaqësoj republikën e lirë dhe sovrane të Kosovës, një tokë, zëri i së cilës një kohë u hesht në luftë, por tani flet në gjuhën e shpresës, në gjuhën e paqes dhe në gjuhën e mirënjohjes”, tha Osmani gjatë fjalimit.

Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë “në orët më të vështira të historisë sonë”.

“Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO: përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë. Paqja jonë dhe liria jonë është përgjithmonë e lidhur me trimërinë e juaj dhe mirënjohja jonë është e përjetshme”, tha Osmani.

Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›