Sekuestrohen në Rinas 19,4 kg kanabis, pranga 39-vjeçarit

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Një 39-vjeçar nga fshati Kras i Tepelenës është arrestuar në flagrancë në aeroportin e Rinasit, pasi policia i sekuestroi një valixhe me 19,4 kilogramë lëndë narkotike me përqindje të lartë THC-je që vinte nga Tajlanda.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, sot është finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Pako 6”, kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Policia e Shtetit e finalizoi këtë operacion në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i tentativës për futje të lëndës narkotike me përqindje të lartë të lartë THC”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, 39-vjeçari që udhëtonte nga Tajlanda në Shqipëri, kishte me vete një valixhe me 19 kg e 400 g lëndë narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e cila iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/r.e/