Osmani pjesë e Bordit të Paqes, Rama: Gjest domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka uruar sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes nga presidenti i Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Rama shprehet në një postim në rrjetin social X se, ky është një gjest tejet domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës.
“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, shkruan Rama.
Rama u shpreh se beson se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga presidenti i SHBA.
“Edhe një herë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan kryeministri Rama.
/gj.m/a.f/r.e/