E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani pret Prattipatin, diskutohet mbi zgjidhjen e ngërçit politik dhe partneriteti me SHBA-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Pratipati.

Takimi, i zhvilluar në ambientet e Presidencës, u fokusua në diskutimin e zhvillimeve të fundit politike dhe institucionale në Kosovë, si dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, një nga pikat kryesore të diskutimit ishin zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, me theks të veçantë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe shumicës së nënkryetarëve të tij.

Presidentja Osmani dhe znj. Pratipati vlerësuan progresin e bërë dhe shqyrtuan hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të plotë të Kuvendit, si një hap i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit.

Në takim u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dypalësh mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fusha me interes strategjik për të dyja palët.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, duke e cilësuar atë si një shtyllë kyçe për zhvillimin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte përgatitja për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet në New York.

Presidentja Osmani, e cila do të udhëheqë delegacionin e Kosovës në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, ndau me znj. Pratipati agjendën dhe pritshmëritë nga takimet dhe aktivitetet e planifikuara gjatë kësaj ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare.

Takimi mes Presidentes Osmani dhe znj. Pratipati pasqyron vazhdimësinë e dialogut të ngushtë dhe bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, duke riafirmuar përkushtimin e dy vendeve për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të promovuar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›