PAKISTAN – Të paktën gjashtë policë të vrarë pas një sulmi terrorist

ISLAMABAD, 12 janar /ATSH-DPA/- Të paktën gjashtë policë u vranë në Pakistanin veriperëndimor mes një rritjeje të sulmeve militante në vend, thanë sot zyrtarët.
“Militantët shënjestruan një automjet të blinduar policie me një pajisje shpërthyese në qarkun Tank të provincës Khyber Pakhtunkhwa”, thanë zyrtarët e sigurisë.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri më tani. Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif urdhëroi nisjen e një hetimi lidhur me incidentin.
Ndërkohë, të paktën dy civilë dhe tre militantë u vranë në incidente të ndara në distriktin Orakzai, gjithashtu në provincën Khyber Pakhtunkhwa.
Rajoni veriperëndimor në kufi me Afganistanin ka mbajtur barrën e militantizmit për disa dekada dhe ka vuajtur nga sulme të vazhdueshme.
Në vitin 2025, provinca regjistroi 3 811 incidente terroriste, përfshirë 16 sulme vetëvrasëse.
Në përgjithësi, Pakistani raportoi 5 397 incidente terroriste, përfshirë 27 sulme vetëvrasëse gjatë vitit, sipas ISPR (Krahu i medias dhe marrëdhënieve me publikun i Forcave të Armatosura të Pakistanit)
Pakistani tha se ka pasur një rritje të incidenteve terroriste që kur talebanët afganë morën sërish kontrollin në Kabul në vitin 2021. //a.i/