E Diel, 1 Nëntor 2026

VARSHAVË – Hungaria i jep azil ish-ministrit polak mes hetimit për abuzim me pushtetin

VARSHAVË, 12 janar /ATSH-DPA/- Ish-ministri polak i Drejtësisë Zbigniew Ziobro, nga partia nacionaliste konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) –  i cili përballet me akuza për korrupsion – njoftoi sot në X se autoritetet hungareze i kishin dhënë mbrojtje.

Ziobro pretendoN se ishte bërë shënjestër e një “hakmarrjeje personale” nga kryeministri i qendrës së majtë, Donald Tusk.

“Unë zgjedh të luftoj kundër banditizmit politik dhe paligjshmërisë. Unë i rezistoj diktaturës në progres”, tha Ziobro.

“Shteti i së drejtës është në krizë në Poloni dhe shumë njerëz po përballen me persekutim politik. Në Hungari, personave të persekutuar politikisht u jepet azil në përputhje me ligjin e BE-së”, tha Ministria e Jashtme në Hungari për faqen e lajmeve online “Telex”.

Ish-ministri i Drejtësisë akuzohet gjithashtu për devijim fondesh nga fondi i viktimave të krimit për të blerë programin spiun izraelit “Pegasus”.

Kundërshtarët politikë akuzojnë ish-qeverinë e PiS për përdorimin e “Pegasus” për të spiunuar kundërshtarët politikë.

“Pegasus” shfrytëzon dobësitë e sigurisë në telefonat inteligjentë për të fituar akses të gjerë në të dhëna. Ai gjithashtu mundëson përgjimin e bisedave.

PiS qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023. Gjatë kësaj kohe, ajo ristrukturoi ndjeshëm sistemin e drejtësisë, duke çuar në përballje me Komisionin Evropian.

Në tetor 2023, PiS humbi zgjedhjet parlamentare dhe që atëherë ka qenë partia më e madhe opozitare në vend.

Koalicioni i qendrës së majtë i Tusk që atëherë ka punuar për të përmbysur reformat gjyqësore të diskutueshme të qeverisë së PiS. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›