Rama: Ndizen dritat në LungoRadhimë, shëmbëlltyrë e Rilindjes Urbane në Vlorën turistike

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Në Vlorë vijon puna për projektin Lungomare 3, Vlorë-Orikum, ndër më të rëndësishmit në qytetin bregdetar.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga Radhima, ku janë ndezur për herë të parë dritat në segmentin e ri të projektit bregdetar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi investimin si një tjetër dëshmi të transformimit urban që po vijon në zonën turistike të Vlorës.
“Sapo u ndezën dritat në projektin e ri të LungoRadhimës, një shëmbëlltyrë e re e Rilindjes Urbane që vazhdon në Vlorën e bukur turistike”, shkruan Rama.
Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës bregdetare, krijimin e hapësirave publike moderne dhe rritjen e atraktivitetit turistik të vijës bregdetare në jug të vendit.
Bajpasi Orikum-Lungomare 3 shtrihet mbi kodrat e rrugës Vlorë-Orikum dhe do të mundësojë një frymëmarrje krejt të re për Vlorën.
Ky investim strategjik zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës dhe krijon kushtet optimale për vijimin me Lungomaren 4 në zonën e Orikumit, duke e bërë Vlorën qytetin bregdetar me shëtitoren më të gjatë në Mesdhe.
Lungomare 3 do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës, por gjithë turistëve vendas e të huaj që frekuentojnë bregdetin e Vlorës dhe Rivierën Shqiptare.
/k.s/r.e/a.f/