PARIS – Macron: Franca do të votojë kundër marrëveshjes tregtare BE-Mercosur

PARIS, 8 janar /ATSH-DPA/- Franca do të votojë kundër marrëveshjes tregtare të Bashkimit Evropian me katër vende të Amerikës së Jugut në takimin e planifikuar nesër në Bruksel, tha sot presidenti Emmanuel Macron, edhe pse blloku po ecën drejt finalizimit të marrëveshjes.
Pavarësisht asaj që ai e përshkroi si përmirësime “të pamohueshme”, Macron tha se marrëveshja midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të “Mercosur” – Brazilit, Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait – përballet me kundërshtim politik “unanim” në Francë, siç pasqyrohet në debatet e fundit në Asamblenë Kombëtare dhe Senat.
“Në këtë kontekst, Franca do të votojë kundër nënshkrimit të marrëveshjes,” tha Macron në një deklaratë.
“Franca mbështet tregtinë ndërkombëtare”, shtoi ai, duke e përshkruar paktin BE-Mercosur si “një marrëveshje nga një epokë tjetër”, të negociuar për një kohë shumë të gjatë mbi themele të vjetruara.
“Marrëveshja do të kishte vetëm një ndikim të kufizuar në rritjen ekonomike në Francë dhe BE, gjë që nuk e justifikonte ekspozimin e sektorit të ndjeshëm bujqësor ndaj konkurrencës në rritje”, tha Macron.
Fermerët francezë e kanë kundërshtuar fuqimisht marrëveshjen, duke paralajmëruar për konkurrencë joproporcionale nga importet e lira të Amerikës së Jugut.
Përfaqësuesit e BE-së do të takohen nesër në Bruksel – për të hapur rrugën për nënshkrimin dhe përfundimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë.
Një shumicë e kualifikuar në favor të marrëveshjes pritet të sigurohet në një votim.
Vendet që kanë shprehur kundërshtim përfshijnë Poloninë, Francën, Hungarinë, Irlandën dhe Austrinë, por së bashku ato nuk formojnë një pakicë bllokuese. //a.i/