PARIS – Macron: Vajtojmë B.B legjendën e shekullit

PARIS, 28 dhjetor /ATSH-AFP/ – Brigitte Bardot, e cila vdiq sot në moshën 91-vjeçare dhe që njihej ndryshe edhe me inicialet B.B, mishëroi një jetë të lirë dhe ne po vajtojmë një legjendë të shekullit, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Filmat e saj, zëri i saj, fama e saj verbuese, inicialet e saj, hidhërimet e saj, pasioni i saj bujar për kafshët…, Brigitte Bardot mishëroi një jetë të lirë”, shkroi Macron.
”Një ekzistencë franceze, një shkëlqim universal. Ajo na preku. Ne vajtojmë një legjendë të shekullit”, shtoi ai.
Një yll global, një ikonë femërore e kinemasë dhe një avokate e pasionuar për të drejtat e kafshëve, e njohur për deklaratat e saj kontroverse: aktorja franceze Brigitte Bardot ka vdekur në moshën 91-vjeçare, shumë kohë pasi u tërhoq nga fama dhe bota e filmit.
“Fondacioni ‘Brigitte Bardot’ njofton me trishtim të madh vdekjen e themelueses dhe presidentes së saj, Brigitte Bardot, aktores dhe këngëtares me famë botërore, e cila zgjodhi të hiqte dorë nga karriera e saj prestigjioze për t’i kushtuar jetën dhe energjinë e saj mirëqenies së kafshëve dhe Fondacionit të saj”, tha fondacioni në një deklaratë.
Aktorja, e njohur për rolet e saj në “Dhe Zoti krijoi gruan” dhe “Përçmim”, vdiq të dielën në mëngjes në rezidencën e saj të famshme, La Madrague, në Saint-Tropez, në jug të Francës./ a.jor.