PD: Asnjë provë për akuzat në procesin e zgjatur të Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Partia Demokratike përshëndeti sot protestën paqësore të bashkëluftëtarëve të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës në Tiranë, ndërsa u shpreh se “dënon çdo përpjekje për manipulim të saj nga albanofobë shqipfolës, armiq të damkosur të Kosovës”.
Përmes një deklarate për shtyp, Partia Demokratike i bëri thirrje trupit gjykues të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë të shpallë sa më parë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Kosovës, në respekt të plotë të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë
“Lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga luftërat e Skënderbeut”, thuhet në deklaratë.
PD vlerëson se pa sakrificën, gjakun, trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë të UÇK-së, Kosova nuk do të ishte kurrë një vend i lirë dhe i pavarur.
“Lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës është lufta e fundit çlirimtare në Europë që i dha fund pushtimit të gjatë serb të Kosovës, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aleate besnike e Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Kosovës gjatë fushatës së bombardimeve ajrore kundër regjimit të Millosheviçit nga Aleanca, në pranverën e vitit 1999”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike e Shqipërisë garanton se është forca politike që mbështet zbatimin e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Kjo parti ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë dhe ka ndjekur e ndjek me vëmendjen më të madhe punimet e kësaj gjykate në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Republikës së Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, etj”, thuhet në këtë deklaratë.
Në këtë drejtim, Partia Demokratike konstaton se në këtë proces të zgjatur, disa herë para publikut nuk është paraqitur asnjë fakt apo provë për asnjërën prej akuzave të paraqitura ndaj tyre.
“E kundërta, janë rrëzuar akuzat monstruoze si ajo e ‘shkuljes së organeve’ dhe tregtimit të tyre nga luftëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme të Shqipërisë. Nuk është publikuar asnjë fakt apo provë që të provojë urdhra direkt të ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime konkrete”, thuhet në reagimin e PD-së.
Sipas PD-së, ky proces dëshmoi përfundimisht se ai është i bazuar në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiq të tjerë të kombit shqiptar që kërkojnë të barazojnë agresorin, pushtuesin me çlirimtarin.
Partia Demokratike nuk ishte pjesë e protestës së sotme në sheshin “Skënderbej” organizuar nga veteranët e luftës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që njykohen në Hagë.
/m.m/j.p/