E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump refuzon të thotë nëse Ukraina do të duhet të lëshojë territor që lufta të përfundojë

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/- Presidenti Donald Trump priti sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas CNN.

Trump refuzoi të zgjidhte midis dy palëve, kur u pyet se kush po bënte një punë më të mirë në negociata, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky apo presidenti rus Vladimir Putin.

“Mendoj se të dy po bëjnë një punë të shkëlqyer”, tha Trump.

“Urrejtja” dhe gjakmarrja e madhe kanë penguar zgjidhjen e luftës së vazhdueshme”, tha presidenti Trump duke theksuar nevojën për një paqe afatgjatë.

“Kjo do të jetë diçka që unë vërtet besoj se do të arrihet. Pata një bisedë shumë të mirë dje me presidentin Putin. Mendoj se ai kërkon t’i japë fund”, tha Trump.

Në të njëjtën kohë, Trump ka shprehur zhgënjim me Putinin në bisedat e kaluara, duke theksuar se ai dukej i gatshëm për një marrëveshje në bisedat telefonike, por ndërkohe vazhdonte të sulmonte Ukrainën.

Gjithashtu, presidenti Trump tha se takimi i ardhshëm me udhëheqësin rus, Vladimir Putin do të zhvillohej në Budapest – ndërsa theksoi se SHBA-ja do të ishte në kontakt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Do të jetë një takim dypalësh. Por, do të jemi në kontakt me presidentin Zelensky. Ka shumë armiqësi midis dy presidentëve”, shtoi ai.

Trump refuzoi të thoshte nëse Ukraina do të duhej të lëshonte territor – si pjesë e marrëveshjes së paqes me Rusinë – e fundit në një seri qëndrimesh të ndryshueshme mbi këtë çështje.

“Nuk dihet asnjëherë. Lufta është shumë interesante. Nuk dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë me luftën… me luftën dhe paqen”, tha ai.

Trump ka mbajtur qëndrime të ndryshme mbi këtë çështje. Përpara takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin në gusht, ai tha se “shkëmbimet e territoreve” do të ishin të nevojshme që lufta të përfundonte.

Më pas, ai ndryshoi mendje, duke thënë se besonte se Ukraina mund të fitonte sërish të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia.

Përgjigja e sotme e presidentit Trump sugjeron se lideri amerikan po pret të shohë se si do të vazhdojnë negociatat. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›