E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Zelensky: Garancitë e sigurisë, gjëja më e rëndësishme për Ukrainën

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/- Presidenti Donald Trump priti sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas CNN.

“Marrëveshja për armëpushim në Gaza mund të jetë një moment i rëndesishëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha sot Zelensky.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Gaza, duke shtuar se ky mund të ishte një moment i rëndesishëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

I ftuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky uroi liderin e SHBA-së për armëpushimin e suksesshëm në Lindjen e Mesme.

“Mendoj se ky është moment i rëndesishëm për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.

“Presidenti rus, Vladimir Putin mendoj se nuk është gati për paqe. Jam i bindur se me ndihmën tuaj, ne mund ta ndalojmë këtë luftë”, shtoi Zelensky.

Gjithashtu, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kompanitë amerikane të energjisë ishin të gatshme të ndihmonin Ukrainën – pas sulmeve të fundit ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

“Pata një mundësi të mirë për t’u takuar me kompanitë e mëdha amerikane të energjisë dhe ato janë të gatshme të na ndihmojnë”, tha Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Por, pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës sonë, zhvillova gjithashtu takime, falë ekipit tuaj, me kompani të mira ushtarake ku diskutuam për mbrojtjen ajrore”, shtoi ai.

Zelensky tha se garancitë dypalëshe të sigurisë për Ukrainën ishin “gjëja më e rëndësishme” për njerëzit në Ukrainë.

I pyetur se çfarë lëshimesh ishte e gatshme Ukraina të bënte për t’i dhënë fund luftës, udhëheqësi ukrainas tha se fillimisht, palët duhej të uleshin dhe të bisedonin.

“Pika e dytë, ne kemi nevojë për armëpushim”, shtoi ai.

“Gjëja më e rëndësishme për njerëzit në Ukrainë – të cilët janë nën sulme çdo ditë – është të kenë garanci të forta sigurie. NATO është më e mira, por armatimet janë shumë të rëndësishme. Aleatët në anën tonë janë shumë të rëndësishëm”, tha Zelensky.

“Ne duam paqe, Putini nuk e do. Kjo është arsyeja pse na duhet të ushtrojmë presion mbi të”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›