PD ankimon rezultatin e zgjedhjeve për Korçën

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka paraqitur një tjetër ankesë pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun Korçë.
Pas ankimimeve të mëparshme në qarqet Kukës dhe Berat, PD kërkon tani shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në të gjithë qarkun e Korçës dhe përsëritjen e votimeve për Kuvendin e Shqipërisë.
PD konkretisht kërkon kundërshtimin e vendimit të KSHZ-së “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore qarku Korçë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025; Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku – Korçë; Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Korçë”.
Në qarkun e Korçës, PD-ASHM ka fituar 4 mandate, ndërsa Partia Socialiste kryeson me 6 mandate.
Koalicioni opozitar, siç pohoi dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të ndjekë këtë praktikë për të 12 qarqet, ndërsa ka akuzuar “për manipulim të gjerë të procesit, duke e cilësuar atë si një “masakër zgjedhore””.
/a.f/r.e/