BM – Makina përplaset me tifozët e Liverpool FC që po festonin titullin e Premier League

LONDËR, 26 maj /ATSH-DPA/ – Një makinë u përplas sot me këmbësorët në qendër të qytetit të Liverpool-it gjatë paradës së fitores së Liverpool FC në Premier League.
Shërbimet e emergjencës mbërritën në Water Street pasi Policia e Merseyside u kontaktua menjëherë pas incidentit.
Makina ndaloi në vendngjarje dhe një burrë u arrestua.
Shume njerëz u plagosën gjatë incidentit. Pamjet filmike treguan kordone policie të vendosura rreth rrugës, një prani të madhe policie, ambulanca dhe një makinë zjarrfikëse gjithashtu në vendngjarje.
“Aktualisht, ne po vlerësojmë situatën dhe po punojmë me anëtarë të tjerë të shërbimeve të emergjencës”, tha një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës Veriperëndimore (NWAS).
“Prioriteti ynë është të sigurojmë që njerëzit të marrin ndihmën mjekësore që u nevojitet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Deputetja e Liverpool Riverside, Kim Johnson, selia e së cilës përfshin qendrën e qytetit, tha: “Shpresoj sinqerisht që të gjithë të përfshirët të jenë të sigurt dhe të kthehen së shpejti në shtëpi tek të dashurit e tyre.”
Ndërsa një zëdhënës i Këshillit të Qytetit të Liverpulit konfirmoi se autoriteti lokal po bashkëpunon me policinë në lidhje me incidentin.
Klubi i Liverpool FC zhvilloi sot një paradë me autobusë të hapur për të festuar triumfin në Premier League, me tifozë që mbushën rrugët.
Këshilltari John Hughes vlerësoi se më shumë se një milion njerëz morën pjesë në paradë. //a.i/