E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD letër Trupit Diplomatik: Opozitës iu mohua qëllimisht e drejta për debat politik në Kuvend

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar sot me një letër Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, pas zhvillimit të seancës së sotme plenare.

Në letrën që mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thuhet se në seancën e sotme plenare “debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve u pengua qëllimisht, duke dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare”.

“Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë kaq flagrante dhe përçarëse. Përmes veprimeve antikushtetuese dhe në shkelje të rregullores së brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe kreu i shumicës parlamentare,  dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime demokratike”, thuhet më tej në letër.

Sipas PD-së, “mohimi i së drejtës për debat parlamentar, shkeljet e përsëritura të ligjit themelor të vendit dhe shkeljet e rregullave të brendshme të Kuvendit tregojnë qartë një minim të qëllimshëm të rendit kushtetues dhe uzurpim të autoritetit legjitim vendimmarrës të institucioneve demokratike në vend”.

“Në këtë situatë të paprecedentë, vërejmë me shqetësim minimin e jetës parlamentare, mohimin e të drejtës kushtetuese të deputetëve për debat politik, dhe, mbi të gjitha, shpërfilljen e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë, duke tentuar anulimin total të organit më të lartë përfaqësues të vullnetit të tyre politik”, thuhet në letrën e PD-së drejtuar Trupit Diplomatik.

Partia Demokratike kërkoi përsëritjen e seancës së sotme plenare në të cilën u miratua programi i ri qeverisës dhe përbërja e Këshillit të Ministrave për katër vitet e ardhshme. Po ashtu, grupi parlamentar i PD-së njoftoi se do të nisë procedurat parlamentare për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi për shkelje të Kushtetutës.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›