SHBA – Trump kritikon Jimmy Kimmel pas pezullimit të emisionit

LONDËR, 18 shtator /ATSH – DPA / – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër moderatorin dhe komedianin Jimmy Kimmel, pas vendimit të rrjetit ABC për të pezulluar emisionin e tij “Jimmy Kimmel Live!”.
Trump deklaroi se Kimmel nuk ishtë një person me talent dhe se audienca e tij ishte shumë e vogël, duke shtuar se programi duhej hequr prej kohësh.
Vendimi i ABC-së erdhi pas komenteve të Kimmel mbi vrasjen fatale të aktivistit konservator Charlie Kirk në Universitetin e Utah Valley javën e kaluar. Gjatë disa emisioneve, Kimmel komentoi reagimet ndaj atentatit, duke thënë se “shumë njerëz në MAGA po punojnë shumë për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirk”.
Trump tha gjatë një konference për shtyp në Londër, “Jimmy Kimmel u shkarkua sepse kishte shifra të këqija të audiencës, më shumë se çdo gjë tjetër. Ai tha një gjë të tmerrshme për një zotëri të madh të njohur si Charlie Kirk. Ai nuk ka talent dhe duhej shkarkuar prej kohësh”, tha Trump gjatë një konference për shtyp në Londër
Pezullimi i emisionit ndodhi pasi disa stacione të lidhura me ABC refuzuan ta transmetonin programin pas komenteve të Kimmel të hënën dhe të martën e kaluar. Një zëdhënës i rrjetit, në pronësi të Disney, deklaroi për BBC-në: “‘Jimmy Kimmel Live!’ do të pezullohet pa afat.”
Në një postim në platformën sociale Truth Social, Trump lavdëroi vendimin e ABC-së: “Urime ABC-së për guximin për të bërë atë që duhej bërë. Kimmel ka ZERO talent dhe shifra më të këqija sesa \[Stephen] Colbert, nëse kjo është e mundur.”
Reagimet publike kanë qenë të shumta. Aktorët dhe personazhe të njohur si Ben Stiller dhe Jamie Lee Curtis kanë shprehur shqetësimin e tyre në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndërsa guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e quajti pezullimin e emisioneve dhe shkarkimin e komentatorëve “të koordinuar” dhe “të rrezikshëm”. /Ad.Ab./