E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Manovra të përbashkëta SHBA-Izrael në Detin e Kuq mes tensioneve rajonale

TEL AVIV, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli thanë sot se kishin kryer manovra të përbashkëta detare në Detin e Kuq, duke e përshkruar stërvitjen si një rutinë.

Manovrat, të cilat u zhvilluan dje, vijnë në sfondin e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Iranit.

Stërvitja përfshinte shkatërruesin e raketave të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës “USS Delbert D. Black”, i cili më vonë udhëtoi drejt qytetit portual izraelit, Eilat.

Ushtria izraelite tha se dislokimi theksonte bashkëpunimin e ngushtë midis dy marinave dhe ushtrive përkatëse.

Gjithashtu, në manovra mori pjesë korveta e Marinës Izraelite, e ndërtuar në vitin 1993, “INS Eilat”.

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë rritur në javët e fundit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen iraniane me sulme ushtarake, pjesërisht për shkak të shtypjes brutale shtetërore ndaj demonstruesve gjatë protestave të fundit masive, në të cilat thuhet se janë vrarë mijëra njërëz.

Irani ka kërcënuar të kryejë kundërsulme ndaj Izraelit dhe SHBA-së në rast të një sulmi.

Megjithatë, raportet e medias thanë sot se Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, po planifikonte të takohej me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, për negociata që synonin zbutjen e tensioneve.

Ushtria amerikane e ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj rajonale që nga fillimi i janarit, duke përfshirë edhe dislokimin e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe anijeve të saj shoqëruese. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›