E Premte, 6 Nëntor 2026

PD nis mbledhjen e firmave për referendumin për ndërtimin në Parkun Rinia - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Partia Demokratike ka nisur mbledhjen e firmave për zhvillimin e një referendumi vendor lidhur me ndërtimin në Parkun Rinia, pas miratimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të formularëve për mbledhjen e nënshkrimeve.

Zyra e shtypit të PD, bëri të ditur se, përfaqësues të PD-së janë vendosur në zonën e parkut Rinia, ku po ftojnë qytetarët t’i bashkohen nismës, e cila synon t’u japë banorëve të Tiranës mundësinë të shprehen drejtpërdrejt për të ardhmen e kësaj hapësire publike.

Partia Demokratike e cilëson nismën si një hap konkret në mbrojtje të hapësirave publike dhe kundër modelit të zhvillimit urban, për të cilin pretendon se po dëmton gjelbërimin dhe cilësinë e jetesës në kryeqytet.

PD u bën thirrje qytetarëve të Tiranës, shoqërisë civile, aktivistëve dhe organizatave qytetare të angazhohen në mbledhjen e firmave, duke theksuar se për të ardhmen e Parkut Rinia duhet të vendosin qytetarët.

Gjithashtu, demokratët i kanë bërë thirrje forcave opozitare të bashkohen në këtë nismë.

PD shprehet e gatshme të bashkëpunojë me çdo faktor opozitar, pa përjashtim, për të siguruar sa më shpejt nënshkrimet e nevojshme dhe për t’i hapur rrugë referendumit.

Partia Demokratike e konsideron këtë proces edhe një mundësi për të konkretizuar bashkëpunimin opozitar përpara zgjedhjeve vendore, duke argumentuar se bashkimi duhet të dëshmohet përmes veprimit në terren dhe jo vetëm deklaratave publike.

/gj.m/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›