Dogana Shqiptare pjesë e operacionit rajonal kundër flukseve të paligjshme të parasë - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Në selinë e Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) në Bukuresht u zhvillua takimi përmbyllës i Operacionit Rajonal “NELSON”, i fokusuar në luftën kundër lëvizjes së paligjshme të parave të gatshme dhe mallrave me vlerë të lartë.
Administrata Doganore Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, mori pjesë aktive në këtë operacion, i cili u zhvillua në dy faza gjatë muajit mars 2026, me përfshirjen e autoriteteve doganore dhe policore të vendeve anëtare të SELEC.
Gjatë operacionit u intensifikuan kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim identifikimin e rasteve të mosdeklarimit të parave të gatshme, instrumenteve të negociueshme të prurësit dhe mallrave me vlerë, si dhe parandalimin e flukseve të paligjshme financiare.
Takimi, i drejtuar nga Chavdar Georgiev, drejtor për Operacionet në SELEC, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të autoritetit britanik HMRC, shërbeu për analizimin e rezultateve operacionale, shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Dogana Shqiptare mbetet e angazhuar në forcimin e kontrolleve kufitare, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër krimit të organizuar, nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional dhe pjesëmarrjes aktive në operacionet ndërkombëtare.
/m.m/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
