Presidenti Begaj dekreton emërimin e Genti Shalës si gjyqtar i Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka firmosur sot dekretin për emërimin e zotit Genti Shala si gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 48 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Dekreti bazohet në vendimin nr. 818, datë 4 dhjetor 2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ka propozuar kandidaturën e Shalës për pozicionin e lirë në fushën e së drejtës penale, shpallur më herët me vendimin nr. 178, datë 11 maj 2022.
Sipas dekretit nr. 471, të datës 12 dhjetor 2025, Genti Shala emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë nga radhët e gjyqtarëve, ndërsa ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.
VENDIMI
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
D E K R E T
PËR
EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS SË LARTË
Në mbështetje të nenit 93, nenit 136, pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 48, pika 13 e ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, bazuar në vendimin nr. 818, datë 4.12.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatit z. Genti Shala” për pozicionin e lirë në fushën e së drejtës penale, shpallur me vendimin nr. 178, datë 11.5.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor,
D E K R E T O J:
Neni 1
Zoti Genti Shala emërohet Gjyqtar i Gjykatës së Lartë nga radhët e gjyqtarëve.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Dekret nr. 471
Tiranë, më 12.12.2025
PRESIDENT I REPUBLIKËS
BAJRAM BEGAJ
/rtsh.al//