PD prezanton programin elektoral: Minimumi jetik 200 euro, paga mesatare 1200 euro

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Partia Demokratike prezantoi sot në Tiranë, programin e saj elektoral 2025-2029, për Shqipërinë Madhështore në Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Në çelje të punimeve, fillimisht u vendos himni kombëtar i Shqipërisë “Himni i Flamurit”.
Më tej, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili e mori i pari fjalën tha se programi i PD është mjaft ambicioz.
Këlliçi tha se “masa e parë do të jetë miratimi i minimumit jetik në vlerën 200 euro, paga minimale 500 euro dhe paga mesatare 1200 euro, duke i dhënë profesionistëve statusin që i takon”.
Gjithashtu vijoi ai, do të ulim në 7 lekë kw/h çmimin për energjinë, ndërsa PD angazhohet të rimëkëmbë sistemin shëndetësor, krijimin e një modeli të ri shëndetësor me barna të rimbursuara.
“Përmes programit për rininë synojmë t’i japim fund shpopullimit dhe do të dyfishojmë buxhetin për arsimin”, tha ai.
Duke marrë fjalën, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka theksoi se “PD dhe Sali Berisha u ringritën kur menduan se i asgjësuan. Por ja ku vijmë sot me një program që ka në thelb zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve”.
Ai tha se, Sali Berisha do t’i japë qytetarëve qeverinë që ata kanë nevojë.
“Sali Berisha dhe PD solli liberalizimin e vizave, anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe realizoj projekte të rëndësishme infrastrukturore nga jugu në veri të vendit. Programi i PD është i vërtetë dhe i bën premtimet realitet”, tha Noka.
Më tej, drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike Chris LaCivita, tha se “një fitore për Berishën, është një fitore për familjet shqiptare”.
“Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi”, tha LaCivita.
Gjatë aktivitetit këngëtari Renis Gjoka performoi me dy këngë dhe në fund fjalën e mori kreu i PD, Sali Berisha, i cili shpalosi programin e plotë elektoral të PD.
1 nga 6/a.f/