E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD vijon konsultimet me partitë opozitare për kandidatin e Tiranës

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Partia Demokratike vijoi edhe sot konsultimet dhe negociatat me partitë e tjera opozitare për të zgjedhur emrin e kandidatit për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Tiranës.

Ditën e sotme deputeti Belind Këlliçi si dhe anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës Ilir Alimehmeti, të caktuar nga kreu i PD-së si përfaqësues për të negociuar me partitë e tjera opozitare, zhvilluan sot diskutime me përfaqësues të Partisë Mundësia.

Pas përfundimit të takimit, Këlliçi u shpreh se në parim kanë gjetur dakordësi për një kandidaturë që duhet të unifikojë spektrin opozitar.

“Takim produktiv, sepse kemi dakordësuar për faktin se duhet të gjejmë një kandidaturë që duhet të unifikojë spektrin opozitar. Ky është një lajm i mirë për Tiranën. Të gjitha, partitë politike, opozitare apo jo, të gjitha forcat politike kanë një lloj konsensusi për të dalë me një emër”, tha Këlliçi.

Këlliçi u shpreh se kanë diskutuar edhe për emra të përvetshëm, ndërsa shtoi se brenda dy ditëve do të përmbyllen të gjitha takimet formale.

Nga ana tjetër deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri u shpreh se për to ka rëndësi që kandidatit të mos jetë politik.

“Për ne ka rëndësi që kandidati të mos jetë politik, të jetë një njeri profesionist, publik që i ka shanset dhe që është model tjetër nga ajo që paraqet mazhoranca. I qëndrojmë parimit për një kandidat jashtë partive politike”, tha Kapri.

Grupi i Punës i PD-së prej ditësh po zhvillon konsultime me partitë opozitare për zgjedhjen e kandidatit për bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër PS ka shpallur si kandidate Ogerta Manastirliun.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›