Oficerët e sigurisë në shkolla, Rama: Mbrojnë nxënësit nga fenomenet e dhunës dhe rreziqeve online

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Oficerët e sigurisë në shkolla luajnë një rol kyç në parandalimin e dukurive negative si dhuna, bullizmi, përdorimi i substancave abuzive dhe siguria fizike në shkolla.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ndau sot punën e përditshme të oficeres së sigurisë në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë, Brunilda Xharkani.
“Në shkollat publike janë vendosur oficerë sigurie të cilët do të garantojnë mbrojtjen e nxënësve nga çdo fenomen negativ i lidhur me dhunën apo rreziqet online”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shton se “falë edhe bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit, janë zhvilluar trajnime specifike për oficerët e sigurisë për të garantuar sigurinë e nxënësve në shkollat publike, ku suport do të jetë edhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake të cilët bëjnë monitorimin e tyre në hapësirat brenda perimetrit të shkollave, duke bërë jo vetëm monitorim por dhe parandalimin e incidenteve të ndryshim”.
Vetë oficerja e sigurisë Brunilda Xharkani tregoi punën që kryen nga mëngjesi e për gjatë ditës, me qëllim ruajtjen e sigurisë së nxënësve.
“Kryesisht në punën tonë e cila fillon në orën 07:30, ne monitorojmë hyrjen e nxënësve në shkollë dhe njihemi me prindërit në këtë mënyrë. Në mëngjes bëhet mbledhja e celularëve nga mësuesit kujdestarë, unë kaloj nëpër klasa më pas dhe pyes nëse janë dorëzuar të gjithë celularët. Oficeri i sigurisë monitoron ambientet e shkollës gjatë ditës si korridore, palestra, oborrin e shkollës në pushimin e madh, si dhe ambientet jashtë shkollës.
Falë trajnimeve të Ministrisë së Arsimit si dhe Ministrisë së Brendshme, ne jemi trajnuar mbi çështjet dhe sigurinë e nxënësve në shkolla. Kemi gjithashtu edhe mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe policisë bashkiake të cilat monitorojnë mbarëvajtjen e procesit të fillimit të mësimit dhe perimetrit të shkollës”, tha Xharkani.
Oficerja e sigurisë theksoi se beson “vërtet se roli oficerit të sigurisë në shkolla ka sjellë ndryshime dhe jo vetëm në monitorim, por edhe në parandalimin e incidenteve dhe situatave të rrezikshme”.
Për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve, në këtë vit të ri shkollor janë angazhuar 240 oficerë sigurie në të gjithë vendin, një rritje me 40 oficerë më shumë krahasuar me një vit më parë.
/m.q/r.e/