PEKIN – Kina kundërpërgjigjet me tarifa 125% për mallrat amerikane, duke filluar nga 12 prilli

PEKIN, 11 prill, /ATSH/- Kina është kundërpërgjigjur kundër tarifave reciproke të presidentit amerikan Donald Trump – duke rritur tarifat e saj për mallrat amerikane në 125% nga 84%, njoftoi sot Komisioni i Tarifave Doganore të Këshillit Shtetëror në Kinë, sipas medias amerikane “CNBC”.
“Edhe nëse SHBA-ja vazhdon të vendosë tarifa më të larta, kjo nuk do të ketë më kuptim ekonomik dhe do të kthehet në një shaka në historinë e ekonomisë botërore”, thuhet në deklaratë.
“Me normat e tarifave në nivelin aktual, nuk ka më treg për mallrat amerikane të importuara në Kinë”, thuhet në deklaratë.
“Nëse qeveria amerikane vazhdon të rrisë tarifat për mallrat kineze të eksportuara në SHBA, Kina do ta shpërfillë atë”, tha Komisioni i Tarifave Doganore të Këshillit Shtetëror.
Administrata e Trump konfirmoi të enjten se norma e tarifave të SHBA-së për importet kineze tani ka arritur në 145%.
Shpresat për një marrëveshje SHBA-Kinë për zgjidhjen e tensioneve tregtare janë zbehur me shpejtësi – pasi Pekini është kundërpërgjigjur javën e fundit me detyrime të vogla për mallrat amerikane dhe kufizime të gjera për bizneset amerikane.
“Është për të ardhur keq që kinezët, në fakt nuk duan të vijnë dhe të negociojnë, pasi ata janë shkelësit më të këqij në sistemin e tregtisë ndërkombëtare”, tha të mërkurën sekretari amerikan i Departamentit të Thesarit, Scott Bessent për “Fox Business” – të pas rritjes së tarifave të Kinës në 84%.
“Ata kanë ekonominë më të çekuilibruar në historinë e botës moderne dhe mund t’ju them se ky përshkallëzim është një humbje për ta”, tha Bessent.
“Goldman Sachs” – banka amerikane shumëkombëshe e investimeve dhe kompania e shërbimeve financiare – parashikon nje ulje të PBB-së së Kinës në 4% – duke pasur parasysh zvarritjen nga tensionet tregtare të SHBA-së dhe rritjen më të ngadaltë globale.
“Ndërsa eksportet kineze në SHBA përbëjnë vetëm rreth 3 pikë përqindje të PBB-së totale të Kinës – ka ende një ndikim të rëndësishëm në punësim”, thanë analistët e “Goldman Sachs”.
Ata vlerësojnë se rreth 10 milionë deri në 20 milionë punonjës në Kinë janë të përfshirë në bizneset e eksportit të lidhura me SHBA-në. //a.i/