PEKIN – Xi: Të rrisim bashkëpunimin Kinë-BE për të kundërshtuar tarifat e Trump

PEKIN, 11 prill /ATSH-DPA/- Kina ka bërë thirrje për një bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian përballë rritjes së tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë një takimi me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez sot në Pekin, presidenti kinez, Xi Jinping theksoi nevojën për të rritur bashkëpunimin Kinë-BE – për të mbrojtur mjedisin e tregtisë ndërkombëtare dhe kundërshtuar njëanshmërinë dhe praktikat shtrënguese.
“Nuk ka fitues në një luftë tregtare”, tha Xi, duke paralajmëruar se konflikte të tilla çonin vetëm në “vetë-izolim”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve “Hsinhua”.
“Ne gjithmonë kemi mbrojtur negociatat dhe një zgjidhje miqësore për krizat si mosmarrëveshja aktuale tregtare”, u tha Sánchez gazetarëve pas takimit.
“Mbi këtë bazë, dera e dialogut mbetet e hapur”, shtoi ai.
Kjo është vizita e parë e një lideri të BE-së në Kinë – që kur presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi rritjen e tarifave për importet – duke shkaktuar trazira në treg dhe frikë për një ngadalësim ekonomik global. //a.i/