E Hënë, 2 Nëntor 2026

PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi si antikushtetues draftin e ri të Kodit Penal.

Në një deklaratë për mediet Blushi tha sot se drafti është “një atentat ndaj shtetit të së drejtës, që synon asgjësimin përfundimtar të lirisë në Shqipëri”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “ky Kod Penal është rikthim i Nenit famëkeq, “55” për agjitacion dhe propagandë”.

“Shteti i represionit që synohet të instalohet me këtë Kod parashikon: Burg për fjalën e lirë, sepse çdo kritikë, postim apo protestë mund të cilësohet “terrorizëm” apo “dezinformim” dhe kushdo mund të përfundojë me pranga në duar për “agjitacion e propagandë.

“Burg për parkimin, sepse bashkimi i “krimeve” me “kundërvajtjet” i jep fuqi prokurorisë që të kthejë çdo gabim administrativ në vepër penale. Burg për kontratat, sepse bizneset dhe individët ndëshkohen penalisht për mosmarrëveshje civile, ndërkohë që kontrabandistët dhe klientët e Qeverisë përfitojnë imunitet të paprekshëm.

“Liri për të dënuarit me burgim të përjetshëm, sepse parashikohen hapësira për lirimin e tyre pa asnjë kriter të qartë, duke çelur rrugën për pazare të fëlliqura politike dhe legalizim të korrupsionit gjyqësor. Liri për hajdutët me pushtet, sepse abuzimi me detyrën, shpërdorimi i fondeve publike dhe korrupsioni i lartë praktikisht dekriminalizohen përmes kufizimit ekstrem të dispozitave për ndjekjen e tyre”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se “Kodi i ri Penal i pakonsultuar me asnjë grup interesi të mirëfilltë, me asnjë OJF apo organizatë të të drejtave të njeriut, pa pyetur avokatët apo profesionistët e drejtësisë, por i prezantuar në terr, nuk është ligj, por një mjet shtypës”.

Sipas Blushit ky Kod Penal duhet refuzuar, rrëzuar dhe dërguar në koshin e historisë bashkë me regjimin që e prodhoi.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të kundërshtojë me forcë këtë grusht shteti juridik ndaj lirisë, si tentativë kriminale për instalimin e shtetit të mafias”, tha Blushi.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›