PORTUGALI – Kandidati i ekstremit të djathtë favorit në raundin e parë të presidencialeve

LISBONË, 16 janar /ATSH-AFP/ – Fushata për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Portugali përfundon sot, me kandidatin e ekstremit të djathtë André Ventura si favorit në votimin e së dielës, një skenar i paprecedentë edhe pse ai ka shumë pak shanse për të fituar në raundin e dytë.
Sondazhet e ndryshme e vendosin udhëheqësin e partisë ”Chega” (“Mjaft”) në krye në raundin e parë.
Ndërsa një balotazh duket i mundshëm, i cili do të ishte i pari që nga viti 1986, disa sondazhe parashikojnë një duel midis Venturas dhe socialistit Antonio José Seguro, ndërsa të tjerë sugjerojnë se ai do të përballet me Luis Marques Mendes, kandidatin e mbështetur nga qeveria e krahut të djathtë e kryeministrit Luis Montenegro.
Midis 11 kandidatëve rekord, dy të tjerë kanë gjithashtu një shans për t’u kualifikuar për raundin e dytë, që janë admirali në pension Henrique Gouveia e Melo, i cili udhëhoqi fushatën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe eurodeputeti liberal Joao Cotrim Figueiredo.
Pavarësisht se me kë përballet Ventura, i vetëshpalluri “kandidat i popullit”, kualifikimi i tij për raundin e dytë do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm në ngritjen e tij meteorike elektorale që nga themelimi i ”Chega”-s në vitin 2019./ a.jor.