E Diel, 1 Nëntor 2026

PORTUGALI – Parlamenti miraton kufizime për aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale

LISBONË, 12 shkurt /ATSH/ – Parlamenti i Portugalisë miratoi sot një projektligj, në leximin e tij të parë, i cili kërkon pëlqimin e qartë të prindërve që fëmijët e moshës 13 deri 16 vjeç të kenë akses në rrjetet sociale, duke u bërë një nga lëvizjet e para konkrete ligjore në Evropë për të vendosur kufizime të tilla, sipas Reuters.

Autorët e projektligjit nga Partia Socialdemokrate në pushtet (PSD) thonë se ky ligj është i nevojshëm për të mbrojtur fëmijët nga bullizmi në internet, përmbajtja e dëmshme dhe individët predatorë.

Një sistem publik i njohur si “Çelësi Digjital Mobil ” (DMK) do të përdoret nga prindërit për të dhënë pëlqimin, duke ndihmuar gjithashtu në zbatimin e ndalimit ekzistues për fëmijët nën moshën 13 vjeç për të aksesuar rrjetet sociale, platformat për shpërndarjen e videove dhe imazheve, ose faqet e basteve online.

Ofruesit e teknologjisë gjithashtu duhet të implementojnë një sistem verifikimi moshe të pajtueshëm me DMK.

Projektligji u miratua me 148 vota pro, 69 kundër dhe 13 abstenime, dhe mund të modifikohet para votimit përfundimtar.

Dhomë e Ulët e parlamentit francez muajin e kaluar miratoi një ligj për të ndaluar fëmijët nën 15 vjeç nga rrjetet sociale, për shkak të shqetësimeve në rritje për bullizmin online dhe rreziqet për shëndetin mendor.

Ndërkohë, Australia ka vendosur një ndalim unik në botë për fëmijët nën 16 vjeç për platformat sociale si Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube, i cili hyri në fuqi në dhjetor.

Projektligji portugez thotë se do të mbushë një boshllëk rregullator që ka lejuar “platformat dixhitale multinacionale të vendosin rregulla në mënyrë të njëanshme”, duke ndikuar në zhvillimin kognitiv dhe emocional të fëmijëve, sidomos me ekspozim të hershëm ose të tepruar.

Ai shton se gjatë dy dekadave të fundit, rrjetet sociale kanë marrë rolet që dikur i mbanin familjet dhe shkollat, pa ndonjë rregullore.

“Ne duhet të mbrojmë fëmijët tanë… nuk kemi ndërmend të ndalojmë vetëm për të ndaluar, ne duam të krijojmë një normë për t’u dhënë më shumë pushtet prindërve dhe familjeve, për t’i shoqëruar dhe për t’i kontrolluar”, tha ligjvënësi i PSD-së, Paulo Marcelo, para votimit.

Ai shtoi se kompanitë e teknologjisë që injorojnë kufizimet mund të përballen me gjoba deri në 2% të të ardhurave të tyre globale./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›