E Diel, 1 Nëntor 2026

PORTUGALI - Të arrestuar dhe çmontim tendash, pas protestave të dhunshme - ATSH -

LISBONË, 1 nëntor /ATSH-AFP/ – Policia portugeze e trazirave zbrazi përsëri dhjetëra tenda të ngritura nga protestuesit që denonconin krizën e strehimit në vend në Lisbonë dhe Porto sot herët në mëngjes duke përdorur shkopinj gome për të shpërndarë demonstruesit dhe duke bërë 13 arrestime.

Dhjetëra oficerë, disa të shoqëruar nga qen policie, ndërhynë në kampingun në sheshin ”Rossio” në Lisbonë dhe në një kamping më të vogël në sheshin ”Dom Joao I” në Porto  rreth orës 04:30.

Protestuesit brohoritën “Kjo mban erë diktaturë” dhe “Ne jemi paqësorë” ndërsa policia përparonte.

Policia deklaroi në një njoftim për shtyp se gjashtë persona u arrestuan në Lisbonë dhe shtatë në Porto, qyteti i dytë më i madh i vendit, për refuzimin e zbatimit të urdhrave të shpërndarjes.

Protestuesit hodhën shishe, bojë dhe piroteknikë ndaj oficerëve, duke plagosur 13 oficerë policie, tetë prej të cilëve u dërguan në spital, thuhet në deklaratë.

”Në Porto, tre oficerë policie me rroba civile që monitoronin lëvizjet e protestuesve u sulmuan pasi u vunë re nga një grup”, shtohet në deklaratë.

Policia tregoi se një numër i paspecifikuar protestuesish u plagosën gjithashtu gjatë operacionit, i cili u krye “me rigorozitet, ekuilibër dhe respekt për të drejtat e qytetarëve”.

Grupi aktivist ”Acampada Lisboa” (”Kampi i Lisbonës”) deklaroi se më shumë se 30 persona u plagosën, përfshirë 10 që kërkonin shtrim në spital, dhe bëri thirrje për një demonstratë tjetër në Lisbonë për sot pasdite.

Protestuesit ngritën tendat e tyre të shtunën vonë pas marshimeve paqësore në të dy qytetet kundër kostove të larta të strehimit.

Policia ka ndërhyrë shpesh për të çmontuar kampet që janë krijuar në Lisbonë dhe Porto në javët e fundit.

Protestuesit po kërkojnë që qeveria e qendrës së djathtë, e pakicës, të heqë dorë nga planet e saj për të lehtësuar dëbimet dhe për të hequr kufizimet e qirasë për kontratat e reja të qirasë, duke paralajmëruar se këto ndryshime do të rrisnin më tej kostot e strehimit dhe do t’i bënin qiramarrësit më të prekshëm.

Protestuesit portugezë kanë ndjekur shembullin e demonstruesve në Spanjën fqinje, ku tendat janë ngritur për javë të tëra në qendër të Madridit dhe qyteteve të tjera./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›