PRAGË – Qeveria çeke i mbijeton mocionit të mosbesimit pas skandalit të bitcoin-it

PRAGË, 19 qershor /ATSH/- Qeveria çeke e qendrës së djathtë i mbijetoi dje një vote mosbesimi – e thirrur pasi pranimi i një pagese për shtetin nga një ish-i dënuar me vlerë 45 milionë dollarë në bitcoin shkaktoi polemika brenda koalicionit qeverisës – disa muaj para zgjedhjeve, sipas “Reuters”.
Partia më e madhe e opozitës, ANO, e cila kryeson sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve të 3-4 tetorit, kishte ngritur një mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit Petr Fiala – duke e akuzuar atë se po ndihmonte ish-kriminelin kibernetik – të legjitimonte zotërimet e tij të bitcoin me origjinë potencialisht të paligjshme.
Mocioni dështoi pas dy ditësh debati në Dhomën e Ulët, ku koalicioni qeverisës i Fiala – i udhëhequr nga Partia e tij Demokratike Qytetare, mban shumicën.
Veterani politik Pavel Blazek, nga partia e Fiala, dha dorëheqjen si ministër i Drejtësisë më 31 maj – pasi konfirmoi pranimin e pagesës në emër të shtetit, megjithëse hodhi poshtë pretendimet se kishte bërë diçka të paligjshme.
Fiala e ka quajtur pranimin e dhuratës – një gabim politik dhe etik.
Personi që bëri dhurimin e 468 bitcoin-eve për shtetin ishte në burg nga viti 2017 deri në vitin 2021 – pasi u dënua për përfshirje në tregtinë e drogës, mashtrim dhe posedim të paligjshëm të armëve dhe drejtimin e një tregu të paligjshëm droge në internet të quajtur “Sheep Marketplace”.
Blazek është përballur me kritika për legjitimimin e mundshëm të pasurive të ish-të dënuarit, në vend që t’i drejtohej prokurorëve ose policisë për të ndihmuar në sigurimin e tyre.
Nuk ishte e qartë se cili ishte motivi i ish-të dënuarit për të bërë donacionin. //a.i/