E Martë, 3 Nëntor 2026

LIBAN – I dërguari SHBA-së paralajmëron Hezbollahun për rrezikun e ndërhyrjes në konfliktin Izrael-Iran

BEJRUT, 19 qershor /ATSH-DPA/- I dërguari special i SHBA-së dhe ambasadori amerikan në Turqi, Thomas Barrack paralajmëroi grupin paraushtarak islamist shiit libanez, Hezbollah për rrezikun e ndërhyrjes në konfliktin Izrael-Iran – duke i kërkuar të qëndronte larg tensioneve në rritje.

Gjatë një vizite në Bejrut, Barrack tha se çdo përfshirje e grupit shiit – të mbështetur nga Irani – do të ishte një vendim shumë i keq.

Hezbollah ka dënuar publikisht sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe kërcënimet kundër Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei.

Megjithatë, pavarësisht retorikës së tij, grupi deri më tani është përmbajtur nga nisja e veprimeve të drejtpërdrejta ushtarake.

Analistët rajonalë thanë se kapaciteti aktual operacional i Hezbollah-ut është dobësuar pas luftës së vitit të kaluar me Izraelin, duke kufizuar aftësinë e tij për t’u angazhuar në një konflikt të zgjatur.

Mes tensioneve Izrael-iran që po arrijnë nivele të reja, përfshirja e grupeve të fuqishme të ndërmjetësuara si Hezbollah – mund të rrezikojë të ndezë një luftë më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Vizita e Barrack në Liban vjen – si pjesë e përpjekjeve të intensifikuara diplomatike të SHBA-së – për të përmbajtur krizën dhe për të parandaluar përhapjen e saj në vendet fqinje.

Presidenti libanez, Joseph Aoun – i cili u takua me të dërguarin e SHBA-së – shprehu besimin për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në rimëkëmbjen e ekonomisë së Libanit.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për stabilitet në Libanin jugor, duke bërë thirrje për tërheqjen e forcave izraelite dhe ndërprerjen e armiqësive. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›