PS kërkon përjashtimin deri në 60 ditë të 29 opozitarëve, Bardhi në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës: Doni Kuvend njëpartiak

Ka nisur me debate mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku shkak është bërë kërkesa e socialistëve për përjashtimin me 10, 30 dhe 60 ditë të 29 deputetëve opozitarë pas kaosit që shoqëroi seancën e djeshme plenare.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi kundërshtoi ashpër kërkesën për masa disiplinore, duke kërkuar që deputetët që kanë firmosur për pezullimet të paraqesin prova konkrete.
Sipas Bardhit, akuzat ndaj opozitës janë të pabazuara dhe përdorin, sipas tij, “terma të Sigurimit të Shtetit”. Ai theksoi se në listën e deputetëve për t’u ndëshkuar janë përfshirë edhe ligjvënës që nuk kanë kryer asnjë shkelje në Kuvend.
“Keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak”, u shpreh Bardhi, duke akuzuar mazhorancën se qëllimisht ka caktuar mbledhjen në orën 9 për të penguar pjesëmarrjen e opozitës në Këshillin e Imuniteteve.
Në përfundim, Bardhi propozoi shtyrjen e mbledhjes për javën e ardhshme, në mënyrë që, sipas tij, çdo deputet të njihet me provat përpara marrjes së një vendimi.
“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.
Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 09:00.
Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”, deklaroi ai.
Pas debateve, ,mbledhja e Sekretariatit të Etikës u shty për në 23 dhjetor në orën 10:00.
/rtsh.al/