Tryezë për reformën territoriale dhe zgjedhore, Shehi: Propozoj ndryshime në sistemin zgjedhor

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar zhvilloi një tryezë të hapur diskutimi mbi Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, duke i cilësuar ato si kyçe për rikthimin e demokracisë funksionale dhe përfaqësimit real politik.
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, theksoi nevojën për bashkimin e forcave progresiste për të ndërtuar një projekt të ri politik dhe për të rikthyer fokusin te reformat e mëdha.
“Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të vështira në raport me shtetin, me Kushtetutën, edhe me jetën publike. Korrupsioni është i kudondodhur dhe çdo ditë ka skandale që përfshijnë ekzekutivin në gjithë nivelet, por edhe segmentet si biznesi, mediat, madje edhe ndërkombëtarët.” – tha Dashamir Shehi,.
Duke folur për reformën territoriale, Shehi kërkoi që ndryshimet në ndarjen administrative të realizohen para zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar se reforma e vitit 2015 ka dështuar.
Në lidhje me reformën zgjedhore, ai propozoi pjesëmarrje minimale 50% në zgjedhjet vendore, votim në dy raunde për kryetarët e bashkive dhe ndryshime të thella në sistemin zgjedhor kombëtar.
“Shpresa për ndryshim janë vetëm forcat e reja progresiste, individë, pra kontribuues të tjerë nga këto që janë sot.”
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/