E Diel, 1 Nëntor 2026

“Smart City Albania” nis zbatimin. Rama: ‘Sy magjik’ që identifikon në kohë reale shkelësit e ligjit

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin “Smart City Albania”, ku u prezantua nisja e zbatimit të projektit për instalimin e një sistemi modern sigurie përmes kamerave inteligjente.

Projekti synon të rrisë ndjeshëm standardet e sigurisë publike, duke mundësuar monitorim të avancuar të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike. Sipas kryeministrit, ky sistem do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke e afruar me standardet më të zhvilluara ndërkombëtare.

Zbatimi i këtij projekti pritet të ndikojë në parandalimin e kriminalitetit dhe në përmirësimin e menaxhimit të hapësirave publike, si pjesë e vizionit për transformimin digjital të qyteteve shqiptare.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se ky sistem nuk duhet parë thjesht si një rrjet kamerash, por si një teknologji që transformon kapacitetin policor në kohë reale:

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit “Smart City Albania”, kryeministri u ndal edhe te përvoja ndërkombëtare, duke sjellë shembullin e Jordanisë.

Ai e përshkroi këtë vend si një shtet me përbërje heterogjene, me numër shumë të lartë refugjatësh dhe pa pasuri të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit, por që renditet ndër tre vendet më të sigurta në botë.

“Para pak kohësh isha në një vizitë në Jordani, një vend me një përbërje heterogjene, një vend me një numër jashtëzakonisht të lartë refugjatësh, një vend jo me pasuri të krahasueshme me vendet e tjera rreth e rrotull, por njëri nga tre vendet më të sigurta në botë. Kur fola me disa prej përfaqësuesve të lartë të vendit lidhur me sigurinë, fjala e përbashkët ishte Smart City, me teknologji nga Abu Dhabi.”

Sipas tij, ky sistemi i ri i sigurisë regjistron çdo shkelje ligjore në kohë reale dhe e dërgon menjëherë në sallën operative të Policisë së Shtetit.

“Ky nuk është një projekt kamerash, nuk është projekt mbikëqyrje me kamera dhe me mbikëqyrjen e trupave të policisë përmes leximit të kamerave kur lind nevoja. Ky është një projekt që rrit në mënyrë të ndjeshme kapacitetin policor në kohë reale. Ky është një projekt që i jep Policisë një sy magjik për të parë në kohë reale gjithë territorin e saj. Është një projekt që ndihmon në mënyrë të paimagjinueshme për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithandej.”

Kryeministri shpjegoi se sistemi i ri i sigurisë i jep policisë aftësinë të shohë dhe të reagojë në kohë reale, duke eliminuar vonesat e postoblloqeve apo procedurat burokratike.

 “Ndërkohë kur punonjësi i policisë po ndjek trafikun në kohë reale, po në atë ekran i shfaqet shkelësi i rregullave të qarkullimit në një rrugë tjetër. Pra syri i gjithë këtij sistemi është një sy që shikon kudo në të njëjtën kohë. Dhe që mbledh në të njëjtën kohë gjithë informacionin për të sinjalizuar problemin. Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të presim nga postoblloqet e policisë të zbulojnë makinat e paregjistruara. Nuk ka nevojë të presim nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit të mbledhë taksat e papaguara nga drejtuesit e automjeteve. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale. Policia ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione.”

Rama nënvizoi se kamerat e trupit për efektivët e policisë do të sjellin transparencë të plotë në komunikimin e tyre me qytetarët.

“Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit, sepse në kohë reale kamera e trupit të një punonjësi policie sjell debatin në sallën operative. Dhe kjo bëhet e pamundur që kamerat të fiken dhe ndizen sipas dëshirës. Sepse një kamera e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër.”

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i projektit është siguria në shkolla, ku Rama solli shembullin e Emirateve, ku sipas tij, kjo teknologji ka sjellë ndryshime të mëdha.

“Miqtë nga Emiratet, të cilët shumë bujarisht na i vunë në dispozicion këtë teknologji që është një teknologji e natyrës strategjike, na treguan një shembull kuptimplotë. Kur ky sistem ka hyrë në shkolla, jo vetëm që ka rënë në mënyrë drastike krimet e çdo natyre, por kanë rënë edhe mungesat në shkollë, por edhe kopjet në shkollë, por edhe kthimi i klasës në një shkollë lodrash. Është një sistem që funksionon për prindërit, por funksionon edhe për shkollat, por edhe për Ministrinë e Arsimit.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›