PS kërkon përjashtimin e 3 deputetëve demokratë, PD kërkon përjashtimin e Ballës

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e tre deputetëve demokratë, atë të Flamur Nokës, Albana Vokshit dhe Elda Hotit.
Për Nokën është kërkuar përjashtimi 2-mujor (60 ditë), ndërsa për dy gratë deputete me nga 30 ditë secila.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin me 60 ditë të kreut të Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla me pretendimin se, ka kërcënuar deputetët demokratë.
Kujtojmë se seanca plenare e 2 prillit nuk kaloi pa debate midis opozitës dhe mazhorancës, çka dhe pasoi në këtë kërkesë të socialistëve për përjashtim.
Noka mori dhe vërejtje për shkak se goditi disa herë foltoren e Kuvendit.
Përplasjet më të forta nisën për kërkesën e 1 minutë heshtjeje për dëshmorët e 2 prillit.
Balla argumentoi se: “në grupin tim parlamentar ka deputetë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë, ata të Shkodrës kanë kërkuar që sot të mbahet 1 minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë”.
Më pas, deputeti Flamur Noka shpërtheu me thirrjet: Nxirre përjashtë! Narko-deputet! Dhunues, vrasës…
Balla bëri me dije se, deputetja Elda Hoti që i ka marrë kartën socialistes Bora Muzhaqim e se për këtë gjë do të përballet me pasojat, sipas rregullores së Kuvendit.
Ndërkohë, deputeti Klevis Balliu pretendoi se Balla e ka kërcënuar Hotin, duke i thënë “ta tregoj unë ty”.
Shpërthime me tone të ashpra pati dhe nga ana e deputeteve gra, Vokshit dhe Hotit.