“Kemi fituar respekt në arenën ndërkombëtare”/ Rama në Asamblenë e PS në njësinë 3: BE-ja e ka derën hapur

Kryeministri Edi Rama, mbajti fjalën e tij në Asamblenë e PS-së sot në 3 prill në njësinë numër 3 në Tiranë.
Rama u shpreh se shqiptarët e kanë më në fund shansin që të jenë pjesë e asaj familjeje, që e kanë ëndërruar gjithmonë, Bashkimin Europian.
Sipas tij, shanset për qytetarët shqiptarë, kur vendi ynë të jetë në BE, do të rriten.
“Sot shqiptarët janë me fat dhe mund të shkojnë në dyert e Europës. Kurrë ndonjëherë shqiptarëve nuk iu ka ardhur ky fat. Shqiptarët e kanë menduar se do të jenë mirë, kur erdhi komunizmi, kur u mendua se do të ketë barazi, por se përfundoi në dhunë. Edhe pas vitit 1990, Shqipëria nuk kishte dinjitet në arenën ndërkombëtare dhe na trajtuan si mos më keq në katër anët. Edhe Shqipëria nuk e kishte zhvillimin e duhur. Duhet ta shfrytëzojmë këtë kohë, për sa kohë BE-ja e ka derën hapur.
Sot kemi fituar respekt në arenën ndërkombëtare. Kur të hyjmë në BE, një shqiptar do të jetë i barabartë me çdo qytetar të një vendi tjetër të Bashkimit Europian. Sot je illegal kur shkon në vendet e BE-së, ndërsa kur Shqipëria të jetë vend i BE-së, mund të kërkosh punë në Itali, në Poloni, ku të duash, ose do kthehesh këtu, nuk ka rëndësi”, tha Rama.