PS kërkon shtrirje të hetimit prej 2009-ës për “sterilizimin”, Spaho: Mos fusni komisionin në qorrsokak

Nënkryetari i Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi, Plarent Ndreca deklaroi në mbledhjen e sotme, se ky komision duhet ta shtrijë periudhën për kontratën e shërbimit të sterilizimit prej vitit 2009.
“Ne vlerësojmë që kontrata e sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate. Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata. Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës”, deklaroi Ndreca.
Por kërkesën e tij, e konsideroi si jo të pranueshme deputeti demokrat Edmond Spaho, i cili u shpreh se hetimi i periudhës para lidhjes së kontratës, është të fusësh Komisionin në qorrsokak.
“Ky diskutim është pa vlerë. Hetimin e një çështje të caktuar që ka të bëjë me dy kontrata të hartuara, miratuar e hartuar nga qeveria e majtë pas 2013-ës kur ka ardhur në qeverisje. Të fillosh të kërkosh para kësaj periudhe është ta fusësh punën e komisionit në qorrsokak. Nëse keni të Interesuar për të hetuar, keni të gjithë të drejtën për të ngritur komision hetimor dhe hetoni çfarë të doni në lidhje me këtë kontratë. Por ne objektin e kemi dy kontratat e 2014-ës e këtej”, tha Spaho.
/rtsh.al/