PS tërhiqet nga propozimet për Avokatin e Popullit, Balla: Do votojmë një kandidat të opozitës

Partia Socialiste nuk do të paraqesë asnjë kandidaturë për postin e Avokatit të Popullit. Lajmi u konfirmua nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas mbledhjes së sotme të grupit.
Balla deklaroi se shumica është tërhequr nga e drejta për të paraqitur kandidat dhe se tashmë do të shqyrtohen vetëm propozimet e ardhura nga opozita.
“Ka disa kandidatura dhe parlamenti zgjedh atë që merr 84 vota ose më shumë. Ne jemi tërhequr nga propozimi dhe do të votojmë një nga kandidaturat e propozuara nga opozita,” tha Balla.
Ai shtoi se ende nuk i ka parë të gjitha dosjet e kandidatëve dhe se vendimi përfundimtar do të merret pasi të jetë dorëzuar lista e plotë.
“Unë nuk i kam parë ende të gjitha kandidaturat dhe pasi të kemi listën e plotë të kandidaturave më pas do vendosim se cilën kandidature do mbështesim. Shpresoj që të kemi një Avokat Populli brenda këtij sesioni të kësaj legjislature. Dua që Kuvendi të zgjedh një Avokat Populli të propozuar nga opozita dhe të mbështetur nga shumica”, tha Balla.
Pas mbarimit të mandatit të Erinda Ballancës në krye të Avokatit të Popullit, zgjedhja e kreut të ri është zvarritur prej një kohe të gjatë për shkak të mungesës së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës.
Lista e kandidatëve për kreun e këtij institucioni ende nuk është bërë publike, ndërsa emri që do të zgjidhet do të duhet të marrë 84 vota nga Kuvendi.
/rtsh.al/