Rama: Nevojitet ligj i ri për balancimin e pagave të magjistratëve në piramidën e pagave

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nevojitet një ligj i ri për pagat e magjistratëve, duke argumentuar se situata aktuale lidhet me reformën në drejtësi dhe mënyrën se si u përcaktua balancimi i pagave në sistem.
Rama u shpreh se është plotësisht dakord me deputetin e Vlorës, Bujar Leskaj, i cili sipas tij argumentoi se duhet një ligj i ri për t’i dhënë fund kësaj historie.
“Jam plotësisht dakord me deputetin e Vlorës, që u shpreh se këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, që e ka zanafillën e vet në atë moment kur u bë reforma në drejtësi, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej dhe nuk u tha troç se do merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, pasi reforma kërkon një sforcim nga ju, por kjo s’do të jetë permanente”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nuk mund të vijojë në mënyrë të përhershme rritja e pagave në këtë mënyrë, duke shtuar se në të kundërt “do të ishim shteti i parë në botë në 2 mijë vjet që gjykatësit qëndrojnë mbi të gjithë”.
Rama tha se qeveria ka nisur konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për hartimin e një ligji të ri.
“Kur flas për ligjin e ri nuk flas në ajër. Ne kemi filluar kontaktet me KiE-në, me Komisionin Europian për eficiencën e drejtësisë dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, pasi kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, për t’iu dhënë të gjithëve mundësinë të flasin dhe të flasim për të kuptuar se këtu ka një problem dhe s’mund të kthehet kjo në konflikt pushtetesh”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se qeveria është e gatshme dhe plotësisht e angazhuar për hartimin e një ligji të ri, duke theksuar se ekzistojnë disa mënyra për ta zgjidhur çështjen.
“Ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të angazhuar për një ligj të ri, ka një sërë mënyrash për ta bërë. Por kjo historia që sa herë rritet një pagw në Republikë, duhet rritur një pagë atje duhet të marri fund.”, tha Rama.
/a.f/r.e/