E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e reja për 15.363 punonjës të sektorit shëndetësor



Emanuela Sako

Bluzat e bardha do të marrin pagat e reja falë vendimit të qeverisë për përfitimin pas 1 korrikut. Rritja e pagës përfshin të gjithë sistemin shëndetësor në vend. Kështu, duke filluar nga 1 korriku 2008, të gjithë punonjësit e shëndetësisë përfitojnë rritje mesatare pagash, në masën 15 për qind. Ministria e Shëndetësisë, bën të ditur se për vitin 2008 është planifikuar rritje pagash për të gjitha kategoritë e punonjësve në sektorin shëndetësor, ku numri total i të cilëve arrin në 15363 punonjës. Përveç stimulit që do të përfitojnë nga puna e kryer, në vlerën e një page mujore, bluzat e bardha kanë përfituar dhe rritjen e pagës.
Pagat
Qeveria vendosi që rritja e pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve do të bëhej pas 1 korrikut, përfshirë dhe mjekët.
Rritja mesatare e pagave është për punonjësit e shëndetësisë 15 për qind. Për kategoritë kryesore, punonjësit me arsim të lartë dhe personeli infermieror përfitojnë një rritje pagash në masën 15 për qind, ndërsa për nëpunësit civile, punonjësit e aparatit të Ministrisë së Shëndetësisë, rritja e pagës do të jetë në masën 5 për qind. Po kështu, qeveria miratoi aplikimin e shtesës për kualifikimin shkencor për punonjësit e sektorit shëndetësor, në të njëjtën mënyrë me nëpunësit e tjerë të administratës publike. Ndërkohë, me vendimin e rritjes së pagave të personelit infermieror është miratuar dhe rritja e shtesës së pagës së punonjësve të infermieristikës për punën në turnin e dytë. Kjo shtesë nga 50 lekë në ditë, është ndryshuar në 120 lekë në ditë.
Ndërsa, rritjet e pagave në vitet e mëparshme kanë qenë: për vitin 2005 në masën 11 për qind, për vitin 2006 në masën 20 për qind dhe në vitin 2007 ka qenë një rritje prej 20 për qind.
Efekti financiar, që rrjedh nga zbatimi i vlerave të reja të pagave do të përballohet nga fondet e politikave të parashikuara në buxhetin e shtetit, për rritjen e pagave për vitin 2008.
Rritja
Edhe pse sistemi shëndetësor është përshirë nga skandali i mungesës së lëndëve të para dhe medikamenteve në spitale, pagat dhe investimet e ndryshme nuk kanë munguar. Investimet në shëndetësi janë rritur deri në dy herë, ndërsa fondet për medikamente janë rritur tre herë, dhe në tërësi shpenzimet për pajisje, mallra e shërbime janë rritur çdo vit me 12-15 %.
Për vitin 2008, Ministria e Shëndetësisë ka një buxhet 8.7 % herë më të lartë se më 2007, ku në këtë vit pati një rritje masive të pagave të mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës me rreth 15-23%. Prioritetet e përdorimit të buxhetit shtetëror për vitin 2008 vijojnë të jenë shërbimet në kujdesin dytësor, në kujdesin parësor, në shëndetin publik dhe në planifikimin e administrimin e sistemit shëndetësor.

Nivelet e pagave për disa nga kategoritë kryesore paraqiten si më poshtë:

deri më 1 Korrik pas 1 Korrikut 2008
Mjekë në QSUT 37393 43000
Mjekë në institucione të tjera 32409 37000
Infermierë në QSUT 25270 29000
Infermierë në institucione të tjera 20800 27000

box
Rritja
punonjësit me arsim të lartë 15 për qind
personeli infermieror 15 për qind
nëpunësit civilë 5 për qind
punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë 5 për qind

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›