E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Arsimit: ”Pollo ul analfabetizmin”



Federata e Sindikatave të Arsimit dhe sindikata e pavarur e saj i kërkojnë Ministrisë së Arsimit që për fillimin e vitit të ri shkollor 2008-2009 të marrë masa për reduktimin e analfabetizmit në vend. Sipas tyre, disa nga masat që duhet të marrë kjo Ministri janë për të nxitur fëmijët që kanë braktisur shkollat që t’i rikthehen mësimit është ti shpërndajë atyre libra falas, t’u heqë shpenzimet për mjetet shkollore, për uniformën etj. Përveç këtyre sugjerimeve, sindikatat kërkojnë që Ministria e Arsimit të përdorë për vitin e ri mësimor fondin e parashikuar nga buxheti i shtetit për kompensimin e librave për nxënësit e arsimit 9-vjeçar. Ndërsa për të rritur cilësinë e arsimit parashkollor, sipas tyre, Ministria e Arsimit duhet të pajisë të gjitha kopshtet me tekste të rekomanduara për parashkollorët si kusht për arsim cilësor për brezat që do të vijnë më pas. Shefja e zyrës së shtypit në MASH, Ermelinda Muho, lidhur me këtë deklaratë është shprehur se: “Propozimi i bërë sot nga kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit Xhaferr Dobrusha, dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Bajram Kruja për mbështetje të prindërve të nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar dhe kompensim të librave shkollorë ekskluzivisht për këta nxënës, na duket i vlefshëm dhe e mirëpresim”. Ajo ka sqaruar se të gjitha kërkesat e tjera për MASH-in të shtruara nga FSASH dhe SPASH do të shqyrtohen edhe me grupet e tjera të interesit si mësuesit, prindërit dhe nxënësit dhe së shpejti ministri i Arsimit Genc Pollo, do të bëjë të ditur për publikun vendimet që do të merren.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›