Pagë jetese për të gjithë, shoqëria civile nismë në Kuvend për rritjen e pagës minimale

Paga minimale në Shqipëri rezulton se është tri herë më e ulët se kostoja e llogaritur nga ekspertët e fushës për mirëqenie dhe drejtësi sociale.
Vajzat dhe gratë që punojnë në sektorin e manifakturës thonë se me pagat që marrin aktualisht, jetesa për to dhe familjet e tyre është shumë e vështirë.
“Jam këtu për të kërkuar pagën e denjë, pagën e jetesës, e cila nuk e mbulon dot 35.520 lekë për asnjë lloj shpenzimi familjarët, shpenzimet për shkollimin e fëmijëve, as një jetesë të denjë, siç është veshmbathja e mirë ose një jetesë dinjitoze,” u shpreh një qytetare.
Ekspertët e shoqërisë civile thonë se llogaritja e vitit 2019, e realizuar edhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, kërkon trajtim me pagë dinjitoze.
“Si organizata GADC, CLR dhe IKESH, jemi pjesë e rrjetit ndërkombëtar ‘Clean Clothes Campaign’ dhe kemi bashkëpunuar për të përllogaritur se sa është paga që një punëtor duhet të marrë në muaj për të jetuar denjësisht. Përllogaritja, e bërë nga ekspertë të huaj, e bazuar në çmimet e 2019-s, është 147 mijë lekë. Sot punëtorët, sidomos në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, paguhen me 35.520 lekë”, tha Esmeralda Hoxha, nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC).
Kjo kërkesë pritet të shkojë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, ndaj kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për ta mbështetur përmes firmosjes së peticionit online.
“Ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen, të firmosin deklaratën e pagës së jetesës në mënyrë që kur të kemi mundësinë e një dëgjese në komisionet pranë Parlamentit apo mundësinë e organizimeve për të advokuar për pagë jetese, të kemi sa më shumë qytetarë që e mbështesin këtë”, ftoi ajo.
Paga e jetesës për të gjithë konsiderohet pagë e denjë dhe e drejtë për të gjithë punonjësit në sektorin privat apo publik.
Një pagë e mjaftueshme për jetesë, konsiderohet domosdoshmëri ekonomike për të gjithë punonjësit dhe familjet e tyre.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/