E Martë, 3 Nëntor 2026

Pagesa direkte deri 200 mijë lekë fermerëve për fara, fidanë dhe inpute bujqësore

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2025 ofron pagesa direkte për fermerët për fara/fidanë dhe inpute bujqësore, me qëllim uljen e kostove të prodhimit.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) njofton se, Masa 4 është mbështetje për fara/fidanë dhe inpute të tjera me vlerë deri në 200 000 lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se dy sezone për kultivimin e perimeve, rrushit në tavolinë për serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha.

Për sipërfaqe mbi 5 ha masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar aplikantët me status “grup fermerësh” ose SHBB.

Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve.

AZHBR u bën thirrje fermerëve të aplikojnë përmes portalit qeveritar e-Albania, teksa thirrja është e hapur deri në 30 maj.

Fondi total për subvencionimin e bujqësisë është 4,4 miliardë lekë, që prek çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit nga ferma, në tryezat tona dhe në eksporte.

Pjesë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë është edhe masa e naftës falas për fermerët, që funksionon me të njëjtën procedurë aplikimi për t’u përfituar si ajo e vitit të kaluar.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›