“Paketa e Maleve”, Rama: Task-Forcë në çdo bashki për të nxitur investimet, lehtësi fiskale për 500 investitorët e parë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë prezantimit të detajeve të reja nga “Paketa e Maleve”, nisma e qeverisë që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave malore të vendit përmes investimeve private në agroturizëm, bujqësi dhe infrastrukturë lokale, njoftoi ngritjen e një Task-Force në çdo bashki.
Rama shtoi se kjo Task-Forcë duhet të përbëhet nga tre persona, që do të kenë për detyrë të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme qytetarët dhe bizneset që kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e programit.
“Duhet të ngrini një TaskForcë me tre persona në çdo bashki që të ndjekin këmba-këmbës njerëzit që shprehin interes, t’i nxisin dhe t’u lehtësojnë procesin,” deklaroi Kryeministri.
Në kuadër të kësaj pakete, Rama njoftoi gjithashtu lehtësi fiskale për 500 investitorët e parë që do të firmosin kontratat për projekte në zonat malore.
“500 të parët që do marrin kontratën, për 10 vite nuk do të paguajnë asnjë lloj takse apo tatimi. Por duhet t’i ndihmojmë që të jenë te 500 të parët. Duhet t’u rrini pranë, t’i mbështesni,” theksoi ai.
Kryeministri tha se Ministri Demo është duke përgatitur draftin për përcaktimin e granteve bazuar në performancë, ndërsa Ministrja Ibrahimi po harton dy kritere të reja që do të vlejnë për institucionet qendrore dhe për bashkitë.
Rama sqaroi se kriteri i parë do të lidhet me kontributin në rritjen ekonomike të vendit.
“S’mund të jenë të gjithë konsumatorë të rritjes. Nuk mund të jetë historia që mblidhen të ardhura nga qytetarët përmes taksave, por duhet edhe krijimi i të ardhurave të tjera. Bashkitë duhet të jenë pararojë në krijimin e të ardhurave në ekonomi,” tha Rama.
Sipas tij, këto mekanizma janë pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të nxitur rritjen ekonomike në nivel vendor, duke u dhënë pushtetit lokal më shumë përgjegjësi dhe mjete konkrete për të gjeneruar zhvillim.
“Ky është një nga instrumentet që garanton rritje ekonomike në nivel lokal, por që bashkërisht jep kontribut në zhvillimin kombëtar,” përfundoi ai.